Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka filluar një program disaditor trajnimi për stafin dhe trajnerët që do të angazhohen në organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në një njoftim zyrtar, KQZ-ja ka theksuar përkushtimin për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe profesional.
Trajnimet synojnë përgatitjen e të gjithë personave të përfshirë në fazat kyçe të zgjedhjeve, përfshirë hapjen e qendrave të votimit, mbikëqyrjen e procesit dhe numërimin e votave.
“Ky program siguron që çdo person i angazhuar të jetë i përgatitur në mënyrë profesionale për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë fazave të ndryshme të procesit zgjedhor: nga hapja e qendrave të votimit deri te numërimi i votave që procesi zgjedhor të jetë i drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Me zgjedhjet për Kuvendin që po afrojnë, KQZ-ja po vijon përgatitjet me intensitet të lartë për të siguruar një proces zgjedhor të besueshëm dhe demokratik, ku qytetarët të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre.