Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale të numërimit në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se në komunat e tjera po bëhen përgatitjet e nevojshme dhe se procesi i numërimit pritet të fillojë nesër.
“Po fillojmë me procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, të cilat janë nga vendvotimet e rregullta në 2533 vendvotime në të gjithë Kosovën. Fillimisht, procesi i numërimit në qendrat komunale të numërimit do të nisë në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh. Në komunat e tjera do të nisë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, përveç numërimit të votave, në qendrat komunale do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike, bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime.
Kështu Elezi ka theksuar se se ky verifikim synon të eliminojë të gjitha dilemat që lidhen me publikimin e rezultateve.
DnV: Vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputet të papranueshme
Vonesat kanë shkaktuar shqetësime nga organizatat monitoruese që kërkojnë transparencë nga KQZ.
Demokracia në Veprim (DnV), që ka kërkuar transparencë dhe përkushtim më të madh nga KQZ.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve.
Andaj, procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe.
Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve”, thuhet në reagimin e DnV.