KQZ tregon se nuk ka prag minimal të daljes së votuesve për zgjedhjet në veri, Cakolli: Procesi nuk mund të ndërpritet

Lidhur me zgjedhjet e 23 prillit në veri, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se në ligjet për zgjedhje nuk ka të vendosur ndonjë prag të daljes së qytetarëve. Ndërsa, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka thënë se "mjafton një votues i vetëm të dalë në cilëndo prej këtyre komunave dhe vota e tij të jetë e vlefshme, në mënyrë që procesi të jetë ligjërisht në rregull"

Mitrovica e Veriut

Legjislacioni në Kosovë nuk e ka përcaktuar pragun minimal të daljes së votuesve në zgjedhjet qendrore apo komunale.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë sqaruar njërën nga çështjet e kohëve të fundit që ka të bëjë me pjesëmarrjen eventuale të ulët në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se në ligjet për zgjedhje nuk ka të vendosur ndonjë prag të daljes së qytetarëve.

“As në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale nuk është e saktësuar se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një proces zgjedhor, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, nuk ka ndonjë prag të vendosur për këtë çështje”, tha Elezi për EO.

Elezi ka thënë se KQZ-ja fton qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 23 prill dhe se për të realizuar të drejtën e votës, ky institucion është duke vazhduar me përgatitjet.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 prillit dhe ne inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok si dhe anëtarët në kuvendin komunal të Zveçanit apo Leposaviqit”, tha tutje Elezi.

Se nuk ka prag minimal për t’i kontestuar zgjedhjet e thotë edhe hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli.

“Legjislacioni në Kosovë, fatmirësisht nuk e ka përcaktuar asnjë prag minimal të daljes në zgjedhje të votuesve në mënyrë që zgjedhjet të konsiderohen të ligjshme apo legjitime nga ana e palëve, pra mjafton një votues i vetëm të dalë në cilëndo prej këtyre komunave dhe vota e tij të jetë e vlefshme në mënyrë që procesi të jetë ligjërisht në rregull. Pastaj sesa në praktikë mund të implementohet rezultati zgjedhor, është çështje tjetër që u takon institucioneve qendrore dhe në veçanti forcave të sigurisë, në mënyrë që të garantohet që personat e zgjedhur nëpër pozita të kenë mundësi që lirshëm të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues”, tha Cakolli për EO.

Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e katër komunave veriore ka qenë e pritshme sipas tij. Ai thotë se me marrëveshjen e Ohrit, është evituar rreziku i një precedenti për shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve.

“Në bazë të deklarimeve të tyre, ka qenë deri diku e pritshme që Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe besoj që ndër arsyet kryesore, përveç atyre që i kanë përmendur ata, ka qenë edhe tendenca për të përçuar mesazh mbase se pa Listën Serbe nuk mund të organizohen zgjedhje lirshëm në pjesën veriore të vendit”, tha tutje Cakolli.

“Konsideroj që pas momentumit të krijuar me Marrëveshjen e Ohrit si dhe deklarimeve të vazhdueshme të faktorëve ndërkombëtarë se zgjedhjet tashmë duhet të organizohen pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje, procesi nuk mund të ndërpritet dhe është evituar mundësia e shndërrimit në një precedent shumë të rrezikshëm të shtyrjes së vazhdueshme të zgjedhjeve për shkak të tekeve të një subjekti politik, pavarësisht se në cilin vend”, shtoi hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës.

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli

Me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje, Cakolli thotë se do të vërehet edhe mosdalja e qytetarëve në këto zgjedhje.

“Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje do të ketë ndikime në shumë dimensione, ndër cilat besoj që më e vërejtur do të jetë dalja në zgjedhje e votuesve. Kjo duke e ditur që Lista Serbe në vazhdimësi e ka pasur përkrahjen e mbi 95 për qind të votuesve në mesin e atyre që dalin në zgjedhje në pjesët veriore të vendit, që është dyfishimi i mesatares së daljes së votuesve krahasuar me pjesën tjetër”, u shpreh ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika