Dy herë brenda javës mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pësoi shtyrje.
Gjithsesi, të premten kur u takuan, anëtarët vendosën për ta zvogëluar numrin e qendrave tw votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në komunat veriore të Kosovës.
Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do jenë 19, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.
Arianit Elshani, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjev (KQZ) ka thënë se “Nga rekomandimi që kemi marrë me datë 10 prill dhe nga kontaktimi që kemi bërë me menaxherët e qendrave të votimit është konstatuar se nga 44 qendra të votimit që zakonisht është zhvilluar procesi zgjedhor, tetë prej tyre kanë konfirmuar se mund t’i hapin ato. Por, sidoqoftë duke u bazuar në vlerësimin të organeve të sigurisë, por edhe KKZ-ve është konstatuar se vetëm gjashtë qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme. Ndërsa, 13 qendra të votimit do të jenë qendrat alternative apo thënë ndryshe në kontejnerë të cilat do të sigurohet nga institucionet të tjera”.
Por, anëtari i KQZ-së nga opozita, kërkoi arsye për këtë vendim.
Ilir Gashi nga KQZ ka thënë se “Nuk po e shoh asnjë dokument mbështetës i cili tregon arsyet pse kemi ardhur deri te krijimi i qendrave alternative. Parimisht jam pro që qendrat të hapen të gjitha, 44 qendra në veri”.
Arsyetimi ishte që në mungesë të bashkëpunimit nga ana e drejtorëve të shkollave, që janë serbë, për shfrytëzimin e objekteve ata janë detyruar ta mendojnë këtë opsion.
Rekomandimi u miratua me shumicë votash.
Në ndërkohë, sipas monitoruesve të këtij procesi zvogëlimi i qendrave tw votimit e ka një qëllim.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se “Zhvillimi i procesit alternativ vlerësoj që po bëhet për të pasur një lloj tiku që po organizohen zgjedhjet ndonëse është mëse e qartë që pjesëmarrja tashmë në zgjedhje e komunitetit serb do të jetë tërësisht minimale, as këto qendra të votimit nuk do të ballafaqohen me ndonjë fluks të madh votuesish ndërsa në pjesën ku ka komunitet shqiptar besoj që do të mbahen në qendrat tradicionale”.
Në këtë mbledhje gjithashtu për shkak të zvogëlimit të numrit të qendrave votuese është rritur numri i votuesve në ato që do të hapen dhe kështu nga 750 votues sa ishin në një qendwr tani do të jenë rreth 2 mijë.
Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.