KQZ zëvendëson deputetët e dorëhequr të Listës Serbe

Deputetët e Listës Serbe të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre, tashmë janë zëvendësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Mbledhja e KQZ-së





Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të enjten e 10 nëntorit ka vendosur për zëvendësimin e 10 deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Nga 10 deputetët e dorëhequr të Listës Serbe, nëntë nga ata zëvendësohen nga deputetët e së njëjtës parti, ndërsa i 10-ti zëvendësohet nga një tjetër deputet serb, mirëpo nuk i takon partisë Lista Serbe.

Lista e deputetëve të Listës Serbe

Kështu është bërë e ditur gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se KQZ është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve kurdo në Kosovë.

Ndonëse sipas tij nuk do të jetë rrugë e lehtë, megjithatë ai ka thënë se do të mund t’ia dalin.

“KQZ është e gatshme të mbajë zgjedhje kurdo dhe kudo ne Kosovë, do të kemi vështirësi, mirëpo do t’ia dalim”, ka thënë Radoniq.

Ndërkaq, përfaqësuesi i AAK-së në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, Ibrahim Selmonaj, abstenon në zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i LVV-së, Sami Kurteshi, lidhur me dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore, ka thënë se e njëjta nuk është ligjërisht e drejtë.

“Dorëheqja e tyre nuk duhet të pranohet, sepse nuk kanë dhënë ndonjë arsyetim individual për dorëheqje. Ata kanë dhënë dorëheqje për një pozicion që nuk e kanë. Ky pozicion mund të jetë i zyrtarëve kur të fillojë procesi i zgjedhjeve, se janë kryesues. Dorëheqja ligjërisht nuk është e drejtë”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkohë, Burim Ahmetaj – kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, ka deklaruar se sekretariati do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për funksionalizimin e këtyre zyrave.

“Aktualisht të gjitha zyrat e zyrtarëve të lartë komunalë i kemi në objektet e administratës komunale dhe nuk kemi ndonjë raport se si është gjendja me zyre. Ajo çka është theksuar në shkresat e zyrtarëve në këto katër komuna është se ata japin dorëheqje nga kryesuesi i KKZ-së, gjë që KKZ-ja themelohet pas shpalljes së zgjedhjeve deri në 15 ditë pas ditës së zgjedhjeve dhe kjo është ajo që kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë proces”, ka thënë ai.

“Në bazë të deklarimeve të tyre ne do të shohim mundësinë ligjore për plotësimin e këtyre pozitave, por duhet të kemi parasysh rrethanat dhe situatën në të cilën ndodhen, sepse mund të kemi problem me qasjen e objekteve administrative komunale, këto mund të jenë disa faktorë që mund të na vështirësojnë punën gjatë funksionimit të organizimit të zgjedhjeve”, shtoi Ahmetaj.

Vendimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe, gjykatësve e prokurorëve serbë të cilët dorëzuan dorëheqjet e tyre, i janë bashkuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se KQZ-ja e ka pranuar tashmë kërkesën për rekomandimin e emrave për plotësimin e vendeve të lira në Kuvendin e Kosovës.

“Konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, rekomandimet do të përgatiten brenda afatit ligjor prej pesë ditësh.

Të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Njoftimi vjen pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriutNenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.





Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika