Oda e Mjekëve të Kosovës, e ka cilësuar si mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute, deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimit, për migrimin e mjekëve kosovarë.
Bislimi, të premten e një prillit gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit, ka deklaruar se “mjekët kosovarë shkojnë për të punuar në Gjermani, pasi mjekët gjermanë ikin nga aty”.
Në një komunikatë për media nga Oda e Mjekëve të Kosovës, thuhet se neglizhenca dhe nënvlerësimi i vazhdueshëm institucional që i është bërë komuniteti mjekësor, është shkaktari që çon deri te injorimi i fakteve të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.
“Lëshimi i vendit nga mjekët kosovarë ka disa arsye themelore, e ndër to si më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe ato socio-ekonomike që kanë të bëjnë me lartësinë e kompensimit të pagës. Shprehim zhgënjimin ndaj deklaratave të Bislimit, i cili në një komision parlamentar ka bërë krahasimin e ikjes së mjekëve kosovarë me mjekët gjerman”, është shkruar në deklaratë.
Duke shprehur mospajtim ndaj deklaratave të Bislimit, ikjen e mjekëve nga Kosova drejt shteteve evropiane OMK e ka konsideruar si eksod.
“Kjo rrethanë e cila është eminente këto vitet e fundit, do ta sjellë Kosovën në situatë të tillë ku as përqindja minimale e mjekëve për kokë të banorit nuk do të mund të jetë plotësuar. E kjo paraqitet anakronike me situatën në të cilën gjendemi e ku aktualisht janë mbi 500 mjekë të papunësuar. Numri i mjekëve në Kosovë nuk përmbush standartet minimale të BE-së për përllogaritjen e numrit të mjekëve për kokë banori”, vijon njoftimi.
Sipas tyre, kjo gjendje duhet të jetë shtytëse për angazhim të fokusuar dhe të specializuar të institucioneve kompetente publike që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta ndaluar eksodin e mjekëve.
Ndryshe, deklaratës së Bislimit i ka reaguar ashpër edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media, kishte njoftuar që vetëm gjatë muajit shkurit nga kosova ishin larguar 45 mjekë.
“LDK i sheh me shqetësim të madh deklaratat e Bislimit rreth ikjes së mjekëve nga Kosova. Duke e krahasuar vendin tonë me vendet e zhvilluara evropiane. Për dallim nga vendet që i ka përmendur Bislimi, në Kosovë qytete të tëra veprojnë me vetëm nga një mjek familjar, për gjithë territorin e tyre”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Sipas tyre, qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet për trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së mjekëve.