Në pamje të parë të jep përshtypjen e një vendi jo shumë të frekuentuar, por një pjesë e Kraishtës së Lipjanit ditëve të fundit ka ngjallur mjaft reagime.
Banorët e këtij fshati që jetojnë afër kësaj parcele kanë ngritur një shqetësim.
Ata janë duke kundërshtuar që të vazhdohet groposja e kafshëve të cilat asgjësohen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
Familja Peja, e cila jeton jo shumë larg kësaj hapësire, thotë se nga ajo pjesë furnizohen edhe me ujë për produktet bujqësore.
Ata kanë frikë se mund të rrezikohet shëndeti i tyre.
“Po na dëmton se këtu është kroni dhe uji i mirë, e kemi nënshkruar peticionin dhe jemi kundër”, ka thënë Sef Peja – Banorë i Kraishtës.
“Na e marrim ujin nga aty dhe neve na bënë dëm pasi atë ujë ne e përdorim për toka bujqësore dhe e kemi kundërshtu, kemi nënshkruar peticionin dhe jemi kundër që të vazhdohet të groposen në këtë pjesë kafshët me sëmundje”, ka thënë Erjona Peja – Banore e Kraishtës.
Këtë shqetësim, banorët javë më parë e kanë shprehur edhe përmes një proteste.
Të njëjtit nuk kishin lejur AUV-in të kryejnë procesin e asgjësimit ashtu siç kishin bërë muaj më parë.
Zëdhënësi i kësaj Agjencie, Lamir Thaçi thotë se me pengesa të tilla ballafaqohen edhe në komunat e tjera, por shton se nuk kanë zgjidhje tjetër pasi ekziston një fabrikë për t’u kryer ky proces.
“Përderisa ne se kemi në funksion fabrikën që bën asgjesimin e kafshëve dhe mbetjeve të tjera ne jemi të obliguar t’i respektojmë lokacionet ku komunat i caktojnë, pastaj ne me trupat inspektuese bëjmë hulumtimet diagnostike dhe kudo që hasim me ndonjë sëmundje ne jemi të obliguar të asgjësojmë atë kafshë dhe pastaj ne vetë e bëjmë groposjen”, ka deklaruar Thaçi.
Lokacioni në Kraishtë ishte caktuar nga Kuvendi Komunal në vitin 2018.
Nënkryetari i komunës së Lipjanit, Diamant Bytyçi thotë se janë duke shqyrtuar një lokacion tjetër për groposjen e kafshëve të asgjësuara.
“Atëherë nuk kemi pas reagime nga banorët por tash së fundi kur AUV-i ka dashur të bëjë groposjen e disa kafshëve është ndaluar nga banorët në atë pjesë dhe ata kanë kundërshtu këtë gjë, ne si komunë e kemi shqyrtuar kërkesën e tyre dhe jemi në proces të një lokacioni të ri ku do të mund të bëhet groposja e këtyre kafshëve”, ka thënë ai.
Të premten, banorët e fshatit pritet të takohen me zyrtarë komunalë me synimin për të gjetur një zgjidhje.