Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pasi Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Krasniqi i ka cilësuar si “të dhembshme” e të “tmerrshme” rezultatet e Kosovës në testin PISA.
“Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018. Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se qëllimi i saj nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë, duke theksuar se Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po i shkatërron edhe shkollat.
“Në secilën fushë ka rënie drastike të pikëve, krahasuar me vitin 2014 dhe vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit testi PISA. Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona”, ka vijuar ai.
Ndryshe, sot, Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, vendin e 77-të nga 80 për shkencë dhe më së miri ka performuar në matematikë, duke u renditur e 73-ta nga 80 vende. Matematika llogaritet si lënda kryesore në renditje.
Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën, në të cilat Kosova ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2018, kur edhe ky test u mbajt për herë të fundit.