Përpos liderëve të shtetit, në listën e njësitit të Mbrojtjes së Afërt të Policisë që nga e hëna, janë futur edhe Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhikun.
Pjesëtarë të këtij njësiti, gjatë ditës janë parë afër selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, fizikisht dhe me veturë për përcjellje.
Edhe tek Selia e Partisë Demokratike të Kosovës po ofrohet siguri nga njësitë e mbrojtjes së afërt të Policisë së Kosovës.
Se është i rrezikuar e ka pranuar edhe vet Krasniqi duke treguar se masat shtesë të sigurisë kanë ardhur me rekomandim të institucioneve.
“Unë besoj do të duhet ata t’i tregojnë por që ndërlidhen me zhvillimet dhe situatën e tensionuar pas sulmeve në veriun e vendit”, thotë Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.
Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar se po i ruan dy liderët e opozitës, kjo për shkak të informacioneve që posedojnë.
“Policia e Kosovës në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore që ka, bënë edhe vlerësimin e sigurisë së personaliteteve të rëndësisë së veçantë dhe varësisht nga informacionet apo të gjeturat ndërmerr masat për ofrimin e sigurisë. Në këtë rast edhe ndaj personaliteteve në fjalë ka ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë dhe të njëjtëve sipas vlerësimit iu është ofruar siguri.”
Por nga kush janë të rrezikuar Krasniqi dhe Abdixhiku. Zyrtarisht nuk është thënë por bazuar në një deklaratë të dhënë të premten nga deputetja Doarsa Kica-Xhelili, kërcënimet vijnë nga Serbia.
“Dhe tash do ta them një gjë që nuk e di a po i tejkaloj kompetencat e mija ose jo apo konfidencën për të cilën po flet. Por thirre shefin tënd të AKI-së dhe pyete çfarë informacione ka pranuar Lidhja Demokratike e Kosovës këto ditë dhe potencialisht edhe partitë tjera opozitare në raport me liderët e tyre, për shkak të risqeve që vijnë nga Serbia. Nuk do të them asgjë më tepër se kaq, por thirre dhe kjo në qoftë se do të ishte sikurse thua ti, pse kemi nevojë për mbrojtje nga ta, nëse na duan aq shumë dhe nëse na kërkojnë aq shumë”, thotë Doarsa Kica-Xhelili, Deputet e LDK-së.
Edhe ekspertët e sigurisë besojnë se prapa kërcënimeve qëndrojnë grupe nga Serbia, të cilët kanë më shumë qëllime politike.
“Këto kërcënime janë krye-këput politike, por natyrisht thelbi është dëmtimi i imazhit të sigurisë për të krijuar kaos për të krijuar destabilitet në vend po qëllimet dhe përfitimet llogaritet të jenë politike nga ana e kërcënuesve”, ka thënë Valdet Hoxha – Ish-Drejtor i IPK-së.
Njësia për Vlerësimin e Rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës, pas sigurimit të informatave dhe vlerësimet e tyre, merr vendime për shkallën e sigurisë por edhe njësitë e mjetet të cilat do të përdoren në ato raste.