Vasfije Krasniqi-Goodman, që u bë e para e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë që foli pa e fshehur identitetin, thotë se bota nuk po bën mjaft për të ndëshkuar përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte dhe për të sjellë drejtësi për të mbijetuarat.
Ajo foli të dielën në një intervistë të drejpërdrejtë për Zërin e Amerikës nga Duhoku në Irak, ku si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave nga dhuna seksuale në konflikt, së bashku me të mbijetuarën tjetër nga Kosova Shyhrete Tahiri Sulemani, po merr pjesë në një aktivitet për mbështetjen e grave të grupit Yazidi.
Rreth 3 mijë vajza dhe gra Yazidi, ishin viktima të përdhunimeve dhe abuzimeve tjera të grupit militant Shteti Islamik.
“Ne kemi ardhur këtu për ta ndarë praktikën, rrëfimet dhe të ndihmojmë njëra-tjetrën. Duhet të jesh me të vërtetë shumë zemërfortë për të dëgjuar rastet e grave Yazidi se çfarë u ka ndodhur prej ISIS-it. ISIS-i nuk ka mëshirë për jetën e askujt. Është shumë e vështirë t’i dëgjosh”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Zonja Krasniqi-Goodman tha se po bëhet shumë pak për të vënë drejtësinë në vend për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, duke shtuar se ka “takuar viktima që kanë qenë që prej Luftës së Dytë Botërore që kanë qenë në Kore”, të cilat nuk kanë parë drejtësi.
“Luftën më shumë e përjetojnë të pafajshmit, vajzat, gratë, fëmijët. Nuk po bëhet diçka për ndërprerjen e dhunës seksuale, apo për gjykimin e rasteve të tilla”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Zonja Krasniqi-Goodman, e bëri historinë e saj publike në vitin 2018.
Me aktin e saj ajo i dha një fytyrë vuajtjes dhe tmerrit të mbi 20 mijë viktimave të tilla, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare dhe lokale. Ajo jep sot kontributin e vet si aktiviste e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë.
Zonja Krasniqi-Goodman, thotë se ende nuk është bërë mjaft për të sjellë drejtësi, 24 vjet pas përfundimit të luftës.
“Shpresoj në të ardhmen t’i marrë shteti më seriozisht këto raste dhe të çohet drejtësia në vend”, thotë ajo.
“Na duhet ta dimë se çfarë ka ndodhur me vajzat e Kosovës, me nënat e Kosovës, me gratë e Kosovës. Kjo nuk është diçka që thjesht mund të kapërcehet, duhet të kërkojmë drejtësi deri kur drejtësia të vihet në vend. Unë nuk do të ndalem dhe do të kërkoj drejtësi deri sa të kem jetë”, thotë ajo.
Në tetor të vitit 2018, çmimi Nobel për paqen iu dha doktor Denis Mukweges dhe Nadia Muradit, një nga të mbijtuarat nga dhuna seksuale në duart e ISIS-it, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë lufte.
Zonja Krasniqi-Goodman është pjesë e rrjetit SEMA për mbështetjen e të mbijetuarave të fondacionit të dr. Mukweges.
Zonja Krasniqi-Goodman thotë se këshilla e saj për të mbijetuarat e tjera është që të kenë vetëbesim dhe shton se mbështetja e familjes është gjithashtu kritike.
“Pa marrë parasysh nëse flet publikisht apo në shtëpinë tënde, brenda katër mureve, duhet të kesh përkrahjen e familjes që të flasësh.”
Dhuna seksuale është përdorur shpesh si armë lufte në konflikte të armatosura dhe luftra. Vuajtjet e traumës së kësaj dhune mes të mbijetuarve, shumica gra dhe vajza, shpesh nuk trajtohet me të njëjtën urgjencë si krimet e tjera të luftës.
Përdhunimi u njoh zyrtarisht si akt genocidi vetëm në vitin 1994, 46 vjet pasi OKB-ja e miratoi njëzëri Konventën për Gjenocidin. /VOA