Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë ditës së premte ka qëndruar në Zveçan dhe Zubin Potok, ku ka takuar kryetarët, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos i diskriminojë këto dy komuna të udhëhequra nga PDK-ja, pasi ka shtuar se qytetarëve në to u mungon mbështetja nga niveli qendror.
“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet t’i miratojë kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi ka shtuar se me kryetarin Ilir Peci kanë diskutuar për punët dhe sfidat e tyre.
“Posaçërisht për situatën e sigurisë, e cila është e brishtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Natyrisht, diskutuam edhe për përkushtimin dhe angazhimin e kryetarit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zveçanit, pa dallim”.
Ndërsa, kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka falënderuar kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, për vizitat dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj qytetarëve të asaj komune.
“E falënderoj kryetarin Krasniqi, si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.
Pas komunës së Zveçanit, i pari i PDK-së Memli Krasniqi, ka vizituar edhe komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.
“Sot pata nderin ta pres kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj nesh. E falënderoj shumë për përkrahjen ndaj nesh dhe qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë kryetari Izmir Zeqiri.
Ndërkaq, Krasniqi tha se është vërtet domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë fakti që, në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncentruar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.
“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkoj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtet të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tha se ajo që i bëri shumë përshtypje pozitive dhe që vlerëson, është fakti që kishte shumë qytetarë edhe të komunitetit serb, të cilët janë aty në baza ditore për të kërkuar shërbime dhe po marrin shërbime, të cilat kryetari Izmir Zeqiri dhe të gjithë zyrtarët i kanë ofruar për të gjithë, pa dallim.
Tutje, në fund të këtij takimi, Krasniqi i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin për zhvillimin e një jete të dinjitetshme sociale dhe institucionale atje.