Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me dhembje të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e Bajram Qerkinit.
Krasniqi ka theksuar se Qerkini nuk ishte thjesht Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, por ai ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi.
“Baca Bajram nuk i gjeti kurrë eshtrat e djalit të tij, Reshatit. Ai jetoi me atë dhembje dhe e shndërroi në forcë, në këmbëngulje, në një betejë të pandalshme për të vërtetën, kujtimin dhe drejtësinë”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas Krasniqit, kauza e Bacës Bajram, ashtu si edhe e qindra bashkëkombësve tanë të tjerë, mbetet amanet i përjetshëm.
“Nuk do t’i harrojmë ata që mungojnë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Pusho në paqe, Bacë!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.