Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të raportojë para deputetëve të Kosovës për të diskutuar lidhur me veprimet e mëtutjeshme që duhet ndërmarrë për t’i kthyer tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe, në Kosovë.
Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se situata nuk është normale, andaj ai ka kërkuar që të mos luhet sikur nuk ka ndodhur gjë.
“Situata në vendin tonë nuk është normale andaj besoj se nuk mund ta luajmë normalitetin as në jetën institucionale as në Kuvendin e Kosovës. Andaj i nderuar kryetar ju ftoj që në emër të Kuvendit të Kosovës ta kontaktoni kryeministrin që ta ftojmë të vijë sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e Qeverisë që janë duke i ndërmarrë për kthimin e policëve por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veri”, ka thënë Krasniqi.
Kidnapimin e policëve, kreu i PDK-së, e ka quajtur akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.
Ai thotë se ky akt është shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është një akt agresioni kundër Republikës sonë. Është shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial. Prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tonë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin e sigurinë e tyre”, shtoi më tej Krasniqi.