Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, konsideron se ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi.
Kreu i PDK-së thotë se është e “domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje, e cila ka mundur të përfundojë me fatalitet”.
“Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta. Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të dëgjojë kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës.
Ndryshe, kryesindikalisti i minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi ka thënë se 11 minatorët që u lënduan nga acidi sulfurik të mërkurën në minierën e Trepçës janë liruar nga Spitali i Mitrovicës ndërsa dy janë ende duke u trajtuar për shkak të lëndimeve më serioze në sy, por që janë jashtë rrezikut për jetë.
Në një lidhje telefonike për Radio Dukagjinin, Januzi ka thënë se incidenti i djeshëm ka ndodhur gjatë transportimit të acidit që shërben për pastrimin e gypave, ku si pasojë 13 minatorëve u ka rënë acidi sulfurik.
“Ka qenë një aksident gjatë transportimit të acidit që shërben për pastrimin e gypave, ku është derdhur acidi sulfurik dhe kanë marrë lëndime 13 minatorë, ku dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Të tjerët që janë liruar kanë probleme me frymëmarrje, ndërkaq këta dy kanë lëndime më të rënda në sy, shpresojmë të tejkalojnë këtë dhe të i kthehen normalitetit”, ka thënë Januzi.
Ai ka thënë se për shkak të mungesës së kushteve në minierë, minatorët po i bartin pastaj pasojat.
Januzi për incidentin në Trepçë: Në mungesë të kushteve, minatorët po i bartin pasojat