“Kosovës i duhet një lider që merr vendime të mëdha dhe të guximshme, që vizitën e parë jashtë vendit e bën në Beograd, që i thotë atij populli kam ardhur të merrem vesh me ju, më keni rrahur, më keni masakruar, e që kemi ardhur të shtrijmë dorën e pajtimit dhe paqes”, kështu është shprehur ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, në lidhje me pritshmëritë e tij nga qeverisja e Albin Kurtit.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Krasniqi ka thënë se Albin Kurti është votuar për të bërë gjëra të mëdha, jo për t’u marrë me tabela e targa.
“Kosovës i duhet një lider i guximshëm i përkrahur prej miqve tanë, prej partnerëve tanë, sepse qysh që 22 vjet merremi me viza dhe tabela”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, për relacionet e Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), Krasniqi ka thënë se Albin Kurti nuk është pranuar as në Pentagon e as në Departament të Shtetit në ShBA, pasi sipas tij, nuk mund të shiten mend ndaj Amerikës, kur nuk ka mend as për vete.
Ai për takimin e Kurtit me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në ShBA, Jake Sullivan, ka thënë se fotografia flet sa një mijë fjalë.
Për Krasniqin, kjo fotografi ka domethënie të madhe, sepse musafiri pritet në krye të oxhakut dhe jo te shkallët.
Ai ka thënë se nuk ka pasur ndonjë deklaratë nga ana e Sullivan në lidhje me këtë takim, e as ndonjë sqarim nga ana e kryeminstrit Kurti se cilat kanë qenë gjërat që kanë diskutuar në këtë takim.
Ndërsa analisti, Ylli Hoxha, e ka pyetur Krasniqin se a janë këto relacione aktuale si pasojë e relacioneve personale apo si pasojë e politikave që ShBA ka ndaj popullit të Kosovës?
Krasniqi është përgjigjur duke thënë se “Njerëzit që nuk mësojnë nga e kaluara, nuk mësojnë kurrë”.
Po ashtu, analisti Hoxha ka thënë se nuk është se nuk ka pasur shenja të fleksibilitetit të qëndrimeve të Kurtit, sepse sipas tij, në kohën e tij tashmë janë arritur marrëveshje që nuk janë arritur në kohën kur ka qenë opozitar.
Por, Krasniqi është përgjigjur duke thënë se “Me asnjë çmim nuk guxojmë të lejojmë që Kurti të prishë raportet me ShBA”.
Ndërsa, analisti Visar Ymeri e ka pyetur Krasniqin se a janë çështja e gazit, e Manastirit të Deçanit, raporti me dialogun në përgjithësi me Serbinë, dhe raporti me Open Balkan që kanë ndikuar në prishje të relacioneve të Kurtit me ShBA ?
Krasniqi është përgjigjur duke thënë se për të pasur rehabilitim të relacioneve me ShBA-të, duhet të ketë kredibilitet e profesionalizëm të stafit të Kurtit, pasi ShBA nuk merret vetëm me kryeministrin, por edhe me vartësit e tij.