Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për instrumentalizim të Policisë së Kosovës në veri për qëllime elektorale.
Ai thotë se Kosova nuk duhet të ketë një “luftë” për kontroll territorial në veri, pasi nevojitet fitimi i një beteje politike dhe diplomatike, pasi pa aleatët ndërkombëtarë nuk mund të imponohet asgjë.
Përkitazi me këtë, Krasniqi thekson se Kurti në mungesë të projekteve zhvillimore gjatë mandatit katërvjeçar po merret me tema populiste.
Krahas këtyre, kryetari i PDK-së kërkon që ri-integrimi i komunitetit serb në institucione në veri të ndodhë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, ndërkaq kërcënimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq i konsideron vetëm shou politik.
“Ne mund të themi se ka kontroll policor më shumë sot atje. Sovranitet ka ashtu siç ka pasur në të kaluarën. Gjatë kësaj periudhe ka pasur një tentim të cenimit të sovranitetit me sulmin terrorist në Banjskë, i cili për hir të policisë është shmangur dhe ka rezultuar me një situatë të re. Ajo çka i takon Kosovës si një shtet demokratik, liberal dhe modern është që të krijohen kushte që të gjithë qytetarët të ndihen të barabartë. Andaj instrumentalizim, siç është thënë edhe nga Departamenti Amerikan, i policisë për të arritur qëllime momentale për fushatë zgjedhore nuk është i mjaftueshëm. Kjo është evidente, veprimet që po ndërmerren në situata të caktuara kanë dëshmuar një gjë të tillë”, tha ai.
Krasniqi potencon se ura e Ibrit nuk mund të hapet për qarkullim për automjete pa mbështetjen e partnerëve strategjikë të Kosovës. Sipas tij, një gjë të tillë e ka ditur edhe kryeministri Kurti, por për qëllime elektorale ka tentuar të fitojë ndonjë votë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ne nuk jemi në luftë për kontroll territorial. Ne këtu jemi në një betejë politike dhe diplomatike për të pasur në anën tonë së pari partnerët tanë kryesor ndërkombëtarë. S’do të ketë mundësi Kosova të imponojë asnjë zgjidhje në momentin e fundit, nuk është e mundshme… Kurti në mungesë të ofrimit të çfarëdo lloj zhvillimi të vendit tonë, të çfarëdo lloj projekti që do të mburrej ai dhe qytetarët, çfarëdo lloj avancimi në cilëndo fushë ai e ka gjetur lojën me populizëm. Një nga ato elementi që i ka mbetur ishte ura mbi lumin Ibër. Problemi është i thjeshtë, urën e Ibrit nuk e kanë mbyllur shqiptarët e kanë mbyllur ndërkombëtarët. Sikur të ishte kjo vetëm një vendim i thjesht ish marrë 100 herë para zotëri Kurti. Ai e ka ditur edhe vetë se nuk mund të hapë urën për qarkullim të veturave vetëm që ka dëshirë, pasi dëshirë kemi pasur krejt para tij dhe do të duhej ajo urë të hapej. Mirëpo, nuk mund të bëhet një gjë e tillë në vakum dhe pavarur prej raporteve që kemi me ndërkombëtarët. Ne e kemi mbështetur këtë kërkesë jo të tij, por edhe të shumë qeverive paraprake, por e vërteta se një gjë e tillë pa bashkërendim me partnerët tanë SHBA dhe KFOR nuk ka mundur të bëhet më herët dhe s’mundet të bëhet as tash. Një gjë e tillë ka qenë e qartë dhe zotëri Kurti e ka keqpërdorë dhe ngrit tonet nacionaliste, por tash s’po përmend”, tha kryetari i PDK-së.
Lideri i opozitës thotë se ri-integrimi i komunitetit serb në institucione në veri duhet të ndodhë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Ai thekson se kërcënimet dhe kërkesat e presidentit serb janë vetëm shou politik dhe konsum të brendshëm.
“Kërkesat e zotëri Vuçiq nuk mund t’i shohim të shkëputura nga njëra-tjetra. Zotëri Vuçiq po e bënë atë shou e tij politik për konsum të brendshëm siç e ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Unë konsideroj që nuk është asgjë e re fakti që zotëri Vuçiq në formë të hapur e shpallë edhe agresion do ta quaja ndaj Kosovës…3:39 (Ri-integrimi i komunitetit serb) Vërtet ka qenë një lloj hapi prapa-kthyes në momentin e largimit të gjithë zyrtarëve serbë që kanë qenë të përfshirë në institucionet e Kosovës. Është e natyrshme se të ketë një kërkesë dhe mbështetje për ri-integrimin e tyre, por normalisht një gjë e tillë nuk mund të ndodh ad-hoc. Në fund të fundit të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë dhe të drejta dhe përgjegjësitë duhet të jenë të barabartë. Nuk është e thjeshtë që të thuhet po dal sot prej këtij pozicioni dhe dy vjet më vonë kam vendos të rikthehem. Mendoj se duhet të ketë një procedurë ligjore dhe kushtetuese për të ndodhur një gjë e tillë… (Zgjedhjet në veri) Ajo temë ka marrë fund dhe besoj se është humbje kohe kushdo që trajton dhe diskuton për çështjen e mandateve të kryetarëve të katër komunave të veriut. Ka pasur një moment të hershëm, ka ndodhur një referendum, i cili ka dështuar. Kryetarët janë në detyrat e tyre dhe do të vazhdojnë mandatin deri në fund”, deklaron ai.
Duke folur për raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, Krasniqi thotë se të njëjtat janë në nivelin më të ulët për shkak të qasjes së gabuar së kryeministrit Kurti.
“Është fatkeqësi për qytetarët tanë që prej kur ka Kosovë të lirë, jo vetëm shtet ne asnjëherë s’i kemi pas më të cenuara raportet tona me aleatë. Kjo është evidente dhe është shumë problematike. Çdo sukses i vendit tonë, qytetarëve tanë nuk ka ndodhur në vakum dhe vetëm për shkak të Kosovës, mirëpo për shkak të mbështetjes së partnerëve kryesor në radhë të parë të SHBA-së dhe shteteve kyçe të BE-së. Në situatën të cilën jemi sot, kur Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga BE-ja, ku SHBA-ja në vazhdimësi dhe shumë herë e kanë shprehur shqetësimin për degradimin e raporteve të dëmtuara dhe ku s’ka asnjë vizitë zyrtare nga askush prej qeverisë, duke filluar nga ai në ShBA. Kjo të bënë të mendosh se situata aktuale është dëshpëruese në raport me miqtë tanë. Aventurat e Kurtit, qasja e tij problematike, kryesisht sa i përket raporteve me veriun dhe dialogu na ka sjellë një situatë të tillë”, tha Krasniqi./KosovaPress