Tashmë ka përfunduar takimi mes udhëheqësve të partive opozitare dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Prej partive opozitare prezent në takim ishin kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj.
Pas takimit, kryetari i PDK-së ka deklaruar para mediave se Lajçak u ka thënë atyre se draft-statuti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe që sipas tij, nuk kalon vijat e kuqe.
Krasniqi ka deklaruar se Lajçak nuk ua ka prezantuar tekstin e draft-statutit, edhe pse kjo sipas tij ka qenë kërkesë e vazhdueshme e PDK-së.
“Ishte takim informues në lidhur me rrjedhjen e procesit të dialogut, ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë nga ana e tyre dhe po ashtu shprehu qëndrimin e BE-së që drafti i Asociacionit që i është propozuar Qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe. Por, fatkeqësisht, ne nuk patëm mundësinë që ta diskutojmë atë tekstin integral”, ka deklaruar ai.
Nga gazetarët është pyetur se për çfarë vija të kuqe po flitet, Krasniqi ka thënë se ato dihen që nga viti 2013.
“Unë nuk mund të them me siguri se për çfarë vija të kuqe po flitet, por që vijat e kuqe të Kosovës që nga marrëveshja e vitit 2013 kanë qenë të qarta që të mos shkelet Kushtetuta e Kosovës që çfarëdo Asociacioni të themelohet brenda rregullimit kushtetues dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive”, ka deklaruar ai para mediave.
Po ashtu, ai ka shprehur qëndrimet e tij lidhur me procesin e dialogut dhe mungesën e transparencës në këtë proces.
Ai ka theksuar se PDK-ja beson se duhet të ketë një vendosmëri më të madhe për të përparuar në këtë proces dhe se është e rëndësishme që të jepet më shumë informacion ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë.
“Nga ana ime shpreha qëndrimet PDK-së që ka qenë dhe mbetet konsistent që ne besojmë se duhet të ketë një vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara në këtë proces. Por mbi të gjitha, të ketë më shumë transparencë, sepse nuk po flasim thjesht për një marrëveshje në mesin e dhjetëra marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe janë diskutuar në të kaluarën, por po flasim për një nga pjesët më kontroverse që janë diskutuar deh kanë preokupuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë, pra për draftin e themelimit të Asociacionit, dhe në këtë rast është për t’u kritikuar qasja e institucioneve të Kosovës, Qeverisë së Kosovës me mungesën e plotë të transparencës ndaj qytetarëve, por edhe ndaj përfaqësuesve politikë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka thënë se nuk është e drejtë të thuhet se drafti i Asociacionit është në kundërshtim me Kushtetutën pa u lexuar nga ekspertë kushtetues dhe pa u diskutuar në mënyrë të hollësishme.
“Sepse në fund të fundit nuk mund të thuash se ky draft është apo nuk është në kundërshtim e Kushtetutën, pa i lexuar edhe nga një perspektive edhe ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin e marrëveshjes”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së gjithashtu ka bërë të ditur se në takimin me Lajçak i ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, duke potencuar se kjo nuk është një qasje e drejtë, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin, ai ka shprehur bindjen se ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë të shtetit serb, ndërsa nuk ka pasur veprime zyrtare nga Beogradi në këtë drejtim.