Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka folur rreth sëmundjes së re të përhapur në botë e njohur si lia e majmunit.
Ai në një intervistë për Kp, ka deklaruar se lia e majmunit nuk e ka mundësinë e përhapjes si COVID-19.
“Sigurisht që ne e përcjellim me vëmendje situatën me vendet e rajonit, por edhe më gjerë, dhe në rast se eventualisht paraqiten, atëherë që sigurisht spitalet tona do të jenë të përgatitura për trajtimin e tyre…Nga ajo që dihet deri tani të paktën është se kjo sëmundje nuk e ka mundësinë e përhapjes sikurse COVID-i dhe shpresojmë që mos ta marrë atë fuqi dhe atë shpejtësi, por duhet të presim se si po zhvillohet situata”, ka thënë ai.
Ndryshe, të shtunën, Ministria e Shëndetësisë, tashmë e ka konfirmuar se është një rast i dyshimtë me linë e majmunëve në Kosovë.
Bëhet fjalë për një 69-vjeçar nga Dragashi, i cili për momentin është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK, ndërsa gjendja e tij është stabile.
Ministria ka njoftuar se po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë njofton se i dyshuari me linë e majmunëve është i hospitalizuar në QKUK