Krytari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që ta gjejë një zgjidhje për grevën në arsim.
“Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, po refuzon të gjejë zgjidhje përmes dialogut.
“Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej. Kjo bllokadë, që po ndodh si pasojë e kokëfortësisë së Qeverisë, kërkon zgjidhje urgjente”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, i pari i PDK-së, ka thënë se “mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë por vetëm dinjitet”.
Krasniqi është shprehur se Qeveria nuk duhet të mundohet t’ua mohojë “këtë vlerë”.
Takimi i fundit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Grevist nuk pati asnjë rezultat. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën, duke thënë se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, të cilat do të mund të prodhonin kompromis dhe ta ndalnin grevën.
Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 50 euro për punëtorët e sektorit publik, kurse kërkesë e sindikatave në takimin e fundit thuhet se ishte që kjo shumë të rritej në 80 edhe pse kërkesa fillestare ishte 100, por ky “lëshim”, sipas sindikatave, është bërë për ta arritur një kompromis.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe nuk e ka shtuar shumën e kërkuar nga sindikatat.
Greva e sindikalistëve është duke u mbajtur nga 25 gushti i këtij viti, dhe ende nuk ka ndonjë marrëveshje me qeverinë që do të mundësonte që mësimi të fillojë.