Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje pas miratimit të dy ligjeve të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, për KPM-në dhe KPK-në.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka theksuar se ky veprim është vazhdimësi i një mentaliteti autoritar dhe antikushtetues të qeverisë aktuale.
“Miratimi i sotëm i ligjeve për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, është vazhdimësi e mentalitetit autoritar dhe antikushtetues të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Përkundër mocionit të opozitës për t’i tërhequr këto projektligje për shkak të vërejtjeve dhe shkeljeve të shumta – Qeveria nuk deshi të dëgjoj dhe procedoi me veprimet e saj anti-kushtetuese, në tendencën për të nënshtruar e kapur Mediat dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Projektligji për KPM-në, i tillë siç është miratuar, është kundërshtuar fuqishëm edhe nga vet gazetarët dhe asociacionet e tyre vendore e ndërkombëtare. Sot, fatkeqësisht, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të informimit të pandikuar, si dhe drejtësisë së pavarur nga pushteti, në kundërshtim edhe me çdo praktikë dhe standard evropian, iu dha një goditje e fuqishme nga vetë shteti i cili është i thirrur për t’i mbrojtur e mbështetur këto liri e këto parime”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ligji për KPM-në dhe ai për KPK-në, sipas Krasniqit, paraqesin një goditje të rëndë për demokracinë, lirinë e shprehjes dhe të informimit të pandikuar, si dhe për drejtësinë e pavarur nga pushteti.
“Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë këtë qasje populiste që po e dëmton perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët me kohë dhe zëshëm i kanë kundërshtuar ligjet e kaluara sot nga pushteti aktual. Ne do të vazhdojë angazhimin tonë në mbrojtje të ligjshmërisë, të kushtetueshmërisë dhe të interesave të vendit, përmes kundërshtimit edhe të këtyre dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.