Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në nder të Muajit të Ramazanit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) ku është pritur në takim nga Myftiu, Naim Tërnava.
Në takim kreu i PDK-së i ka uruar Tërnavës muajin e shenjtë të Ramazanit por kanë diskutuar edhe çështje të tjera siç është shprehur Krasniqi me rëndësi për shoqërinë.
Sipas Krasniqit, gjatë këtij muaji është tejet e rëndësishme që të gjithë të ftojnë për më shumë dashuri, paqe, solidaritet e vepra të mira.
“Duke uruar agjërim të lehtë e të pranuar, u pajtuam se është tejet e rëndësishme që, veçanërisht gjatë këtij muaji, të gjithë të ftojmë për më shumë dashuri, paqe, solidaritet e vepra të mira. Me Myftiun Tërrnava diskutuam edhe për shumë çështje të tjera me rëndësi për shoqërinë tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje ai e ka falënderuar myftiun për kontributin e vazhdueshëm të BIK-ut në promovimin e harmonisë fetare dhe për shembullin e humanizmit dhe ndihmës konstante për nevojtarët.