Në fjalën e tij para trupit gjykues, ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka mohuar akuzat e prokurorisë speciale drejtuar ndaj tij.
Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë vrasje, e në asnjë formë tjetër të presionit ndaj askujt.
“Çdo njeri i sinqertë, le të ju thotë se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdoqoftë. Intelekti im intelektual e njerëzor më ka mundësuar ta kam të qartë se cilat mjete duhet të përdoren për realizimin e çlirimit kombëtar në luftë kundër atyre që përpiluan gjenocid ndaj nesh”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se nuk pajtohet fare me akuzat që prokuroria i ka bërë ndaj tij. Vrasjet e torturat ai është shprehur se i ka kryer shteti i Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe personalisht ndaj tij.
“Nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje, ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, tortura, dëbime. Unë e urrej dhunën. Vrasjet, burgosjet, torturat, jo vetëm që janë ushtruar ndaj popullit dhe ndaj meje personalisht, por i konsideroj të ulëta e çnjerëzore”, ka thënë ai.
“I përmenda torturat që ushtruan ndaj meje për të nënvizuar një fakt të rëndësishëm, asnjë gjyqtar, prokuror, të cilët ishin përgjegjës për torturat e mia, nuk kanë qenë objekt në shkrimet e mia i kam lënë të qetë t’i brejë ndërgjegjja. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, unë i urrej vrasjet, dhunën jo vetëm pse janë ushtruar ndaj popullit tonë, por janë të ulëta dhe çnjerëzore. Unë asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë presioni, integriteti im intelektual dhe njerëzor më ka bërë të qartë se çfarë mjete duhet të përdoren në luftë ndaj atyre që ushtruan dhunë dhe gjenocid”, ka thënë ai.