Krasniqi pas deklaratës së Hovenierit: Ne marrim seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier se “Hapja e urës së Ibrit në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë” ka thënë se Qeveria e Kosovës merr seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Krasniqi ka thënë se “ushtarët amerikanë janë ushtarët më të dashur të KFOR-it për qytetarët e Kosovës”.

Sipas Krasniqit, koordinimet me partnerë dhe aleatët strategjikë Kosova është duke i bërë në vazhdimësi.

“Ne e marrim shumë seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë. Ata janë ushtarët më të dashur të KFOR-it. Po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet me partnerët, përfshirë KFOR-in që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më shumë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se përmes hapjes së urës së Ibrit do të përmbushej obligimi nga marrëveshja e Brukselit, duke shtuar se nuk ka arsye për mbajtjen mbyllur për qarkullim të kësaj ure.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dje ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi Qeveria e Kosovës më 5 gusht mbylli zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier tha se ShBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

Ai shtoi se “veprimet e pakoordinuara të qeverisë në veri” e zvogëlojnë entuziazmin e ShBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika