Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim, duke thënë se një dënimi i tillë është “dënim i rëndë që nxit indinjatë te secili shqiptar”.
I pari i PDK-së shpreson se ky vendim do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës, teksa ka shtuar se “Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë, dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, sot, fjalët e Salih Mustafës – Calit, para trupit gjykues se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë e drejtë, e pashmangshme dhe të domosdoshme, janë fjalët e secilit që ka përjetuar pushtimin e egër të Serbisë dhe se janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruajë.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe “do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare”.
Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, “janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë”.
“Mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot”.
Ndryshe, ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.
Prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.
Mustafa është i dënuari i parë i Gjykatës Speciale për krime lufte.