Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), përveç të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka takuar edhe ambasadorin amerikan, William Walker.
Krasniqi këtë e ka bërë të ditur në rrjetin soical Facebook, duke thënë se ambasadori Walker, është miku më i madh i Kosovës.
“Kontributi i tij për të vërtetën dhe të drejtën e Kosovës është historik, i paharrueshëm dhe do të gëzojë përjetësisht mirënjohjen dhe falënderimin tonë të plotë”, ka shkruar Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se është gjithmonë kënaqësi dhe nder i jashtëzakonshëm takimi dhe biseda me të.
Në takimin e tyre ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ndërkaq, Krasniqi, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, është pritur në Departamentin amerikan të Shtetit nga zëvendësndihmës i sekretarit të Shtetit, Escobar.
Gjatë takimit, Krasniqi ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër.