Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të premten e 29 korrikut ka vizituar Komunën e Mitrovicës në kuadër të turit të vizitave që ka nisur nëpër komunat e Kosovës.
Krasniqi ka takuar kryetarin e kësaj komune dhe bashkërisht kanë vizituar edhe disa punime në këtë qytet, përfshirë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Koshtovë, punimet në rrugë në Lagjen Ilirida, si dhe ato në shkollën “Eqrem Qabej”.
I pari i PDK-së është shprehur i kënaqur me punën e kryetarit Hamza duke thënë se për gjashtë muaj ka nisur më shumë projekte se sa Qeveria Kurti.
“Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ndjehem në mënyrë të veçantë krenar, sepse këtu e shohim modelin qeverisës të PDK-së”.
“Bedri Hamza si kryetar i Komunës së Mitrovicës, e që sjell një përvojë dhe një bagazh të jashtëzakonshëm në pozicione më të larta udhëheqëse në shtetin tonë vërtëtë i ka sjellë një vlerë të jashtëzakonshme Komunës së Mitrovicës, duke e kthyer këtë vend në kantier ndërtimi pas pothuajse 8 vitesh stagnim”, ka thënë Krasniqi.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që t’i marrë parasysh kërkesat e komunave për rishikim të buxhetit për t’iu përgjigjur nevojave dhe prioriteteve të tyre.
“Ajo që vlenë edhe në Mitrovicë të theksohet është fakti që krejt këto projekte që po i shohim sot janë duke u bërë me vetëfinancim, me mjetet vetanake të komunës dhe me donacionet që z. Hamza ka arritur t’i marrë nga donatorët e shumtë ndërkombëtarë”.
“Por, vërehet një mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore. Këtu edhe një herë e bëjmë një ftesë që e kemi bërë anë e kënd Kosovës në vizitat tona në terren, që qeveria duhet të kthjellet, duhet të kthejë sytë kah komunat, duhet të komunikojë e të bashkëpunojë me kryetarët e komunave, sepse në fund të fundit këta janë adresa e parë e qytetarëve të Kosovës. Për 6 muaj, kryetari Bedri Hamza ka nisur më shumë projekte se Qeveria e Albin Kurtit”, ka shtuar ai.
Kurse kryetari i komunës së Mitrovicës Bedri Hamza ka falënderuar Krasniqin për mbështetjen e plotë si nga ana e partisë po ashtu edhe përmes Kuvendit të Kosovës, ku PDK është lidere e opozitës.
“I kam njoftuar që jemi duke testuar projekte të rëndësishme që e ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës, jemi në dinamikën e realizimit të punimeve. I informova me prioritetet e Komunës së Mitrovicës dhe i falënderoj edhe një herë për mbështetjen e plotë”, ka theksuar Hamza.