Krasniqi: Për Albin Kurtin, karriget e pushtetit janë më të rëndësishme sesa të nxënësve

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar pas zgjedhjeve të Lëvizjes Vetëvendosje

    Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës





    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pas zgjedhjeve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se shkollat i kanë hapur për zgjedhje, ndërsa i kanë mbyllur për nxënës.

    “Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes, sepse për Albin Kurtin, karriget e pushtetit janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve tanë që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij”, ka shkruar Krasniqi.

    Tutje, Krasniqi ka thënë se kryeministri i vendit nuk po merret me problemet e qytetarëve, duke e quajtur Kurtin “Don Kishot”.

    “Kryeministri ushqen fantazitë e tij, larg brengave dhe problemeve që po rriten çdo ditë në Kosovë. Tamam si një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës”, ka thënë ai.

    Për më tepër, Krasniqi theksoi se qytetarët nuk kanë votuar që të kenë një kryeministër që e lë popullin pa arsim dhe fëmijët pa shkollë. Ai bëri thirrje që Kurti të gjejë një zgjidhje që shkollat të hapen.

    “Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zgjidhje konkrete të problemeve, jo për fjalë të thata e inate. Ka nevojë për lidership që e ruan dinjitetin e secilit qytetar e jo për lider që krijon ndasi edhe më të mëdha në shoqëri. Lëviz nga vendi, Kryeministër! Ofro zgjidhje! Ktheji fëmijët në shkolla!”, përfundoi kryetari i PDK-së.