Krasniqi për Demaçin: Baca Adem e transformoi Kosovën duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje e individ

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kujtuar intelektualin Adem Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes së tij, duke theksuar se Baca Adem, nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje e individ

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kujtuar veprimtarin dhe intelektualin, Adem Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes së tij.

Në një postim në Facebook, i pari i PDK-së ka thënë se Adem Demaçi jetoi me idealin që kombi është mbi të gjitha, që, sipas tij, e përmbushi atë ideal më shumë se çdokush tjetër.

“Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu, kombi është mbi të gjitha” – kështu deklaronte Adem Demaçi në një intervistë dhënë pas luftës në Kosovë. Të gjithë e dimë se kjo nuk ishte vetëm një deklaratë, por, një amanet i përmbushur. Përgjatë një jete me sakrifica, Adem Demaçi jetoi me dhe për atë ideal, duke e përmbushur dhe arritur më shumë se sa mund të pritet nga çdo njeri tjetër”, ka shkruar Krasniqi.

Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se Demaçi, siç e quan ai, Baca Adem, nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje, në çdo individ.

“Prandaj, kur pesë vite më parë ne humbëm një nga personalitetet më të veçanta dhe më të guximshme të popullit tonë, ai u largua vetëm fizikisht, sepse, tashmë Adem Demaçi u përket epokave. Nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Baca Adem e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje, në çdo individ”, ka vijuar ai.

Sipas tij, populli duhet të jetë falënderues që Adem Demaçi “ishte pjesë e kombit dhe që jetoi në mes nesh”.

“Personalisht, edhe unë jam një nga miliona qytetarë shqiptarë të cilët janë frymëzuar nga jeta e Adem Demaçit. Meqë nuk do të kemi një personalitet të dytë si ai, na takon neve të përcjellim sa më mirë shembullin që ai dha: Të marrim vendime për të udhëhequr jo nga urrejtja, por, nga dashuria dhe të përpiqemi për një të ardhme që është e denjë për sakrificën e tij. Prandaj, sot, në vend të përkujtimit, le të jemi falënderues që Adem Demaçi ishte pjesë e kombit tonë dhe jetoi për ne e mes nesh. Një njeri që mori historinë në duart e tij dhe përkuli harkun moral të universit drejt drejtësisë. Zoti e bekoftë kujtimin për ty, Bac! Përjetësisht në zemrat dhe mendjet tona”.

Ndryshe, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik ndërroi jetë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 87 vjet.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e ish-Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpërinjtë e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.

Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika