Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kujtuar 42-vjetorin e demonstratave të studentëve në Prishtinë.
Përmes një postimi, Krasniqi ka thënë se para 42 vjetësh, mijëra studentë të guximshëm, idealistë janë ngritur për të kundërshtuar një sistem shtypës dhe armiqësor.

“Shpërthimi qytetar i katër dekadave më parë ishte akumulim i pakënaqësive dhe, njëkohësisht, fillim i ‘Pranverës së Madhe’, e cila nuk do të përfundonte më deri në çlirimin e Kosovës. 11 marsi i vitit 1981, mbi të gjitha, ishte artikulim dhe manifestim gjithëpopullor i kërkesave tona politike, ekonomike, shoqërore e arsimore”, ka shkruar kreu i PDK-së.
Krasniqi ka nderuar studentët e rënë në ballë të këtyre protestave, duke kujtuar e vlerësuar kontributin e të gjithë studentëve, profesorëve dhe të të gjithë popullit “që bashkë nisën ndryshimin e kursit të historisë dhe projektimin e ëndrrave të reja për Kosovën”.