Pas homazheve pranë varreve të burrave dhe grave që ranë heroikisht me idealin e lirisë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se ata u bënë dritë e pashuar në rrugëtimin e Kosovës për liri.
Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, Krasniqi ka përkujtuar shumë dëshmorë e martirë të fshatrave të komunës së Prishtinës, si në Marec, Makoc, Llukar, Grashticë, Mramor, Keçekollë, Sharban, Barilevë, Rimanishtë, Koliq, Prapashticë, Dabishec, Stallovë, Bërnicë e Epërme.
“Shumë ranë për të mos vdekur kurrë, në luftë frontale me armikun, e shumë të tjerë, burra, gra, fëmijë e pleq u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. E, të gjithë, u bënë dritë e pashuar në rrugëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Përvjetorin e Betejës së Marecit dhe masakrës në Makoc, e ka kujtuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se misioni i lirisë e pavarësisë së Kosovës u realizua falë tyre.
“Misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së Dëshmorëve e Martirëve, që gjithmonë janë frymëzim në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes”, ka shkruar Haradinaj.
Me anë të këtij postimi, Haradinaj i ka theksuar edhe vlerat që i karakterizonin luftëtarët në atë kohë.
“Duke kujtuar trimërinë, vendosmërinë e guximin e luftëtarëve të Brigadës 153 Hyzri Talla, gueriljes BIA, dhe tërë elementit liridashës që dha gjithçka për çlirimin e fitoren e madhe, brezi ynë dhe ata pas nesh, duhet ta ruajnë këtë liri si vlerën më të shenjtë kombëtare”, shtoi ai.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, ka deklaruar se do të përpiqen që t’i përmbahen vizionit të të rënëve për atdheun.
Osmani, teksa ka theksuar se të rënët janë dëshmi e veprimeve barbare të Serbisë, ka thënë se kujtimi për ta shtyn drejt angazhimit për të vënë në vend drejtësinë.
“Dëshmorët e UÇK-së me stoicizmin e tyre e bën të mundshme lirinë tonë. Përveç dëshmorëve të Betejës së Marecit, kujtojmë edhe civilët ë rënë, të cilët janë dëshmi e veprimeve barbare të pushtetit gjenocidal të Serbisë kundrejt popullsisë së pafajshme”, ka thënë ajo, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.
Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë, dhe më pas pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.
Pas homazheve, Kurti para mediave ka thënë se, e kaluara e lavidshme e dëshmorëve është vendimtare për ecjen përpara të Kosovës si shtet.
Osmani kujton dëshmorët: Do të përpiqemi t’i përmbahemi vizionit të tyre për atdheun