Të hënën [dje] më 10 qershor, në Marinë të Skenderajt, është mbajtur gala koncert për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Prezent në Gala Koncertin e mbajtur ka qenë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Memli Krasniqi dhe bashkëshortet e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen e gjykohen në Hagë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe të tjerë.
Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se historia e lavdishme dhe ëndrra e së ardhmes u bënë bashkë me simfoni nderimi, kujtimi dhe feste.
“Emocione ishin të shumta”, tha Krasniqi për pjesëmarrjen e tij në gala koncert.
“Nuk kishin si të mungonin, megjithëse padrejtësisht të zbrazëta, karriget e rezervuara pranë bashkëshorteve të tyre, për heronjët tanë të luftës dhe paqes – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në atë hapësirë të shenjtë, mbrëmë kumboi refreni i përjetshëm i lirisë, një dëshmi e guximit dhe shpirtit të paepur njerëzor që nuk njeh kufi”, shkroi Krasniqi.