Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Erden Atiq si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut.
Pas ceremonisë së betimit, Krasniqi në një konferencë për media është pyetur se kur do të bëhet hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, dhe sipas tij, vendimi i marrë nga Kuvendi Komunal është në MAPL, në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative, “porsa të përfundojë ky vlerësim do të jetë në tryezën time, më pas unë do të vazhdoj procedimin e tij”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, kishte deklaruar se kërkesa e këshilltarëve për hapjen e urës kryesore për qarkullim i është përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale.
Për hapjen e urës kanë qenë 13 vota, një ka qenë kundër dhe një abstenim.
Po ashtu, ministri Krasniqi, duke përgëzuar kryetarin, nënkryetarin dhe drejtorët e përzgjedhur nga kryetari për detyrën, ka thënë se Qeveria do t’i mbështesë si çdo komunë tjetër në Kosovë.
“Unë sot kryetarit, nënkryetares dhe drejtorëve të përzgjedhur nga kryetari iu uroj punë të mbarë dhe të mirë, si Qeveri do të jemi në mbështetje të tyre, si secilës komunë tjetër në Kosovë, në implementimin e mandatit të tyre ligjor dhe kushtetues”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka thënë se çdo vendim dhe veprim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror, si Qeveria, ashtu edhe Ministria do të jenë në mbështetje të të gjithë kryetarëve të komunave.
“Shumë e rëndësishme që qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës veriore dhe komunave tjera të kenë shërbime adekuate cilësore dhe të kenë kryetarin nënkryetarin afër tyre. Për ne është shumë e rëndësishme kjo përbërja e kabinetit të kryetarit, është shumë e rëndësishme që ky qytet multietnik të këtë edhe këtë përbërje. Secili vendim dhe veprim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror, si Qeveri dhe si ministri jemi mbështetje të të gjithë kryetarëve”, është shprehur ai.
Po ashtu, ai ka thënë se me betimin e kryetarit Atiq në ditët në vijim do të vazhdojë organizimi i seancave të Kuvendit, ku do të bëhet edhe betimi i kryetarëve të komunave tjera veriore, ndërsa sipas tij, datën do ta vendosin vetë kryetarët e sapozgjedhur.
Atiq pas betimit: Do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim
Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili të premten u betua si kryetar i kësaj komune, ka thënë se do të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ai u ka bërë ftesë qytetarëve që ta vizitojnë komunën e Mitrovicës së Veriut, për ta shtuar bashkëpunimin.
Angazhimi më i madh, sipas tij, do të jetë normalizimi situatës në këtë komunë.