Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka kritikuar në një postim në Facebook vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e koeficientit të pagave në vlerë prej 105 eurove. Krasniqi ka theksuar se ky vendim cenon mirëqenien e qytetarëve e si pasojë mund të nxisë largimin e qytetarëve nga Kosova.
Ai e ka quajtur një goditje të afatgjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës që punojnë në sektorin publik dhe e ka cilësuar si manipulim dhe lojë fjalësh.
“Për më tepër, ky vendim është thirrje për rritje të numrit të atyre qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi dhe, rrjedhimisht, përcaktim për dëmtimin e ekonomisë dhe funksionalitetit të shtetit tonë”, ka vlerësuar Krasniqi.
“Të gjithë, pa përjashtim, kanë merituar më shumë se sa kjo Qeveri u ka ofruar. Ky vendim, në krahasim me krizën ekonomike dhe inflacionin e madh, nuk u plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka shtuar ai.
Në fund, Krasniqi ka thënë se Kryeministri Albin Kurti i ka rritur pagën e vet në 1785 euro, edhe i ka kujtuar deklaratën e këtij të fundit kur kishte deklaruar në vitin 2018 “se të rrisësh pagën vetes është hajni dhe vjedhje”.