Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdarit.
Ai ka thënë se ajo nuk ka pse të dalë në foltoren e Kuvendit dhe të flasë për mbrojtjen e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut tashmë të pezulluar, Nagip Krasniqit, kur vetë është e dënuar për mosdeklarim të pasurisë.
“Kjo ministre nuk e ka vendin këtu, është dashur të shkarkohet më herët se Nagip Krasniqi, ka dënim të plotfuqishëm, keni ministra të dënuar për fshehje të pasurisë. Kërkoj shkarkimin e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari. Mos mendoni se kanë harruar qytetarët”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, më 29 dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është dënuar me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.