Pas shpërthimit në Stamboll, ku humbën jetën gjashtë persona dhe 53 të tjerë u lënduan, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasnqi, është shprehur i tronditur, teksa ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
“Jam i pikëlluar dhe i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll që la disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk”.
“Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet e mia të thella dhe për të lënduarit uroj shërim sa më të shpejtë. Shpresoj që përgjegjësit e këtij akti terrorist të gjenden e të dalin para drejtësisë sa më parë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ndryshe, Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, lidhur me shpërthimin i cili ndodhi në Taksim të Stambollit, si pasojë e të cilit, mbetën të vrarë gjashtë persona dhe u plagosën 53 të tjerë, ka thënë se mund të jetë akt terrorist.
Siç shkruan “Anadolu”, vëzhgimet e para tregojnë se një grua ka pasur rol në shpërthim.
Erdogan ka thënë se të gjithë autorët do të identifikohen. Këto deklarime, kreu i shtetit turk i bëri gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e G-20.
“Pas sulmit të pabesë, në vendngjarje shkoi personeli ynë i sigurisë dhe të plagosurit u dërguan në spitalet përreth. Përpjekjet për të pushtuar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit, nuk do të arrijnë qëllimin e tyre. Janë 6 të vdekur, 4 prej të cilëve, në vendin e krimit dhe 2 në spital dhe 53 të lënduar”, është shprehur Erdogan.
“Përveç kësaj, shifrat pritet të ndryshojnë me kalimin e orëve. Do të ishte gabim nëse themi se ky është me siguri terrorizëm, por zhvillimet e para, informacioni që na përcolli guvernatori i parë, këtu ka dyshime se ishte sulm terrorist. Kjo për shkak të lëvizjeve dhe përcaktimet e para për një grua si e dyshuar për këtë sulm po vazhdojnë”, ka thënë ai.
Sipas Erdogan, hetimet si për shefin e policisë së Stambollit, ashtu edhe për guvernatorin dhe për kamerat atje vazhdojnë.
“Më pas do të marrim vendimin tonë përfundimtar”, përfundoi ai.
Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë dhe 53 të tjerë kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi në Stamboll, i cili ndodhi të dielën e 13 nëntorit.
Njoftimin për gjashtë të vdekur dhe 53 persona të lënduar e ka dhënë edhe guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.