Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të MINT-it për mendiumin Klan Kosova.
“Vendimi i Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën, duke i marrë çertifikatën e biznesit, është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike, mbi të cilat është ngritur shteti ynë”, ka shkruar Krasnqii.
Krasniqi ka thënë se Qeveria “e ka humbur rrugën”.
Kreu i partisë opozitare ka shtuar se “nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale”.
Ai ka shtuar tutje se sot jemi të gjithë në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
Kështu, ky Komision ka konstatuar se ARBK-ja “në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.”.