Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i përmbush objektivat shtetërore të Kosovës.
Krasniqi tha se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje e cila nuk ka njohje të ndërsjellë brenda saj, pasi, sipas tij, çdo marrëveshje tjetër nuk do t’i sillte paqe të dy vendeve.
“Çfarëdo marrëveshje e cila nuk e parasheh dhe nuk e arrin njohjen e ndërsjellë është marrëveshje që nuk e përfundon konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë dhe është marrëveshje, e cila, siç thotë populli, nuk kryen punë. Unë i kam propozuar pesë shtyllat që duhet t’i ketë marrëveshja…Ne shpresojmë që do të ketë një shtytje përpara, edhe pse një vit e gjysmë të fundit, pothuaj që dy vjet të qeverisë Kurti nuk kanë shënuar një proces në dialog, përkundrazi ne kemi pasur vetëm kemi lëvizur nga kriza në krizë. Përkundër faktit që versioni i parë që unë e kam lexuar i propozimit franko-gjerman, nuk i përmbush objektivat shtetërore të Kosovës.”, tha ai.
Krasniqi tha po ashtu se plani franko-gjeman ka në qendër themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pavarësisht që dokumenti franko-gjerman si propozim është dokument që më shumë bazohet në vlera, nuk flet në mënyrë konkrete për afate dhe për veprime që duhet t’i ndërmarrin dy palët dhe rrjedhimisht as emri asociacion nuk figuron aty, e vërteta është që në versionin e parë ky dokument e ka transformuar qasjen, nga marrëveshje me njohje në qendër në marrëveshje me Asociacion në qendër, kështu që po unë besoj që marrëveshja si e tillë e përfshin krijimin e Asociacionit gjithsesi”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për EO.
Ndërkaq, sipas Krasniqit, aplikimi i Kosovës për statusin kandidat në BE është më shumë një spektakël momental dhe se ky aplikim nuk i sjell asnjë favor Kosovës.
“Frika ime nga mënyra se si është bërë ky aplikim, në momentin të cilin është bërë, është bërë më shumë si një spektakël momental, sepse ne duhet të jemi të qartë se cila janë hapat që do të pasojnë, cilat ishin deklarimet që i dëgjuam më pas. Kosova është e barabartë në këtë proces krahasuar me shtetet e tjera të rajonit, për faktin që ne nuk na njohin pesë shtete anëtare të BE-së, andaj aplikimi vetëm sa për të aplikuar dhe për të thënë unë e kam dorëzuar dokumentacionin, nuk i sjell asnjë favor Kosovës. Është pak a shumë ngjashëm sikur në aplikimin në Këshillin e Evropës ku ishte një aplikim pa kurrfarë koordinimi paraprak me partnerët ndërkombëtarë dhe kjo nuk na ndihmon, sepse në fund të fundit objektivat duhet të kenë sukses”, ka thënë Krasniqi.