Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim të hënën në kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Krasniqi bëri të ditur se folën rreth zhvillimeve aktuale në këto dy vende dhe thellimin e bashkëpunimit mes tyre.
Po ashtu, Krasniqi ka shprehur shqetësimin lidhur me arrestimet e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.
Kreu i PDK-së, arrestimin e tyre, e cilësoi si një veprim të pa pranueshëm, që sipas tij cenon raportet mes tyre ndërshtetërore, meqë ai kërkoi nga Gashi që faktori shqiptar atje të angazhohet fuqishëm për ndaljen e këtyre përndjekjeve.
“Pata kënaqësinë e veçantë të pres në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ku folëm për zhvillimet aktuale në dy vendet tona dhe thellimin e bashkëpunimit mes nesh. Në këtë takim, shpreha shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut – veprim ky i papranueshëm që cenon raportet tona ndërshtetërore, me ç’rast kërkova që faktori shqiptar atje të angazhohet fuqishëm për ndaljen e këtyre përndjekjeve”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka theksuar PDK do të mbetet e përkushtuar në ruajtjen e raporteve të mira dhe fqinjësore me Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, Krasniqi e uroi Gashin për punë të mbarë që ai si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut t’a ndihmojë në realizimin e ambicieve dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë atje.