Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Krasniqi ka falënderuar ambasadorin Hovenier në emër të PDK-së dhe po ashtu i ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e tij të dhënë në Kosovë duke i dhuruar një fotografi të vitit 2010 të ish liderit të PDK-së dhe asokohe kryeministrit Hashim Thaçi me nënpresidentin amerikan Joe Biden.
“Pata nderin të pres në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë – mikun tonë të çmuar, Jeffrey Hovenier”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ambasadorit Hovenier i shpreha mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në procese dhe situata sfiduese për Kosovën. Me këtë rast, ia dhurova fotografinë tonë të përbashkët nga takimi ikonik i vitit 2010, si pjesë e delegacioneve të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe nënpresidentit Joe Biden”, ka shkruar tutje Krasniqi.
“Po ashtu, ia dhurova edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës për ta falënderuar për angazhimin e tij të palodhur në avancimin e interesave të përbashkëta mes shteteve tona. Ishte kënaqësi të bashkëpunojmë në këtë rrugëtim. Suksese të mëtejme miku ynë!”, ka shkruar Krasniqi.
Në këtë takim lamtumirës me ambasadorin amerikan, Krasniqi ishte i shoqëruar nga kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza dhe Sekretarja e Përgjithshme e këtij subjekti politik, Vlora Çitaku.