Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard.
“Ministrin Hummelgaard e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës, që nga strehimi i refugjatëve kosovarë gjatë luftës, njohja e pavarësisë, si një ndër shtetet e para, e deri te kontributi për paqe dhe stabilitet, si pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në vendin tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se ministrin e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në lidhje me to.
“Mysafirëve ua shpreha qëndrimin që Partia Demokratike e Kosovës kërkon sa më parë zgjedhje të reja të parakohshme dhe se aktualisht nuk merr pjesë në votimin e pikave në Kuvend, të cilat sillen nga ana e Qeverisë, përfshirë edhe Marrëveshjet Ndërkombëtare. Në fund, ministrin Hummelgaard e falënderova për vizitën e tij dhe diskutimin e hapur që patëm”, ka thënë kreu i PDK-së.
Gjatë ditës së sotme, me ministrin danez është takuar dhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Lexo dhe: Haradinaj në takim me ministrin e Danimarkës, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës
Haradinaj e ka falënderuar ministrin Hummelgaard për rolin konstruktiv të Danimarkës, e cila, gjithmonë, sipas tij, ka qenë mbështetëse e fuqishme e Kosovës në proceset euroatlantike dhe proceset e tjera shtetndërtuese.