Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pasur kritika të rënda ndaj Qeverisë së Kosovës, pas lajmit që punëtorëve të sektorit publik nuk i ka dalë paga e plotë, por vetëm në mënyrë të pjesshme.
I pari i PDK-së, ka thënë se ekzekutivi qëllimshëm po hakmerret ndaj punëtorëve të sektorit publik për shkak të grevës.
“E përderisa qytetarët pyesin se ku është qeveria për të ndërmarrë veprime lehtësuese, qeveria vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat për shkak të grevës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
I pari i PDK-së është shprehur se vendimi i Qeverisë së Kosovës, ngjan me veprimet e okupuesit serb të viteve 90-ta në Kosovë.
“Vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90”, ka shkruar ai.
Tutje Krasniqi, ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, është dashur të dalë me masa konkrete për krizën ekonomike dhe jo të hakmerret ndaj punëtorëve.
“Me këtë qasje, qeverisja depresive e Albin Kurtit, po provon ta grabisë në mënyrë represive të drejtën e mësimdhënësve e shërbyesve civilë për të jetuar dinjitetshëm. Kjo e drejtë nuk mund t’iu mohohet as mësimdhënësve, as askujt tjetër. Prandaj, zgjidhje është dialogu e jo hakmarrja”, ka thënë ai.
Në fund, i pari i PDK-së, ka thënë se qeveria duhet që të përmbushë obligimet ndaj mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë me masa lehtësuese.