Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria po kërkon përplasje pas deklaratës që bëri ministri Sveçla gjatë ditës së sotme rreth gazetarëve e veteranëve.
“Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj. Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim. Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla”, ka shkruar Krasniqi.
Këtë, Krasniqi e ka cilësuar si “turp i madh, fatkeqësi e madhe”.
“Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit”, ka shkruar ai.
Tutje, kreu i PDK-së ka ftuar veteranët dhe qytetarët të marrin pjesë sot në protestë, duke shtuar se “Mos bini pre e këtij orkestrimi antikombëtar!”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ishte dora e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, vendi nga i cili audio-incizimet e shefes së Grupit Parlamentar me Simiq gjetën rrugën për t’u publikuar nga një gazetë në Kosovë.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se si pasojë e publikimit të tyre vijuan përleshjet në Kuvend e për rrjedhojë edhe u dëmtua imazhi i vendit.
“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë. Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë”, ka shkruar ai.
Sveçla e ka quajtur “të çuditshme” protestën e veteranëve të UÇK-së që planifikohet të mbahet të shtunën, duke bërë një lidhje me një tjetër protestë që do të zhvillohet në Serbi.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka deklaruar se akoma “më e çuditshme” mbetet mbështetja që protesta po merr nga emra, të cilët, sipas tij, dikur vinin në pikëpyetja vlerat e UÇK-së.
“Si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, ka shkruar ai.