Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lideri i opozitës kosovare është i ftuar të marrë pjesë në takimin tradicional të Lutjeve të Mëngjesit, ku marrin pjesë qindra liderë, deputetë e diplomatë nga gjitha vendet e botës, si dhe kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë të shtetit amerikan.
Zyra e Komunikimit të PDK-së ka konfirmuar se gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, lideri i PDK-së do të zhvillojë edhe takime tjera në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Ai, po ashtu, do të ketë takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në të dy Dhomat e Kongresit Amerikan, atë të Përfaqësuesve dhe në Senat.
Kjo është vizita e dytë në një periudhë të shkurtër që lideri i opozitës kosovare viziton SHBA-të.