Rrezarta Krasniqi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka deklaruar se është bërë e zakonshme që partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje të ketë skandale.
Në “FIVE” të RTV Dukagjini, Krasniqi ka deklaruar se veprimet e deritanishme të partisë pushtetare janë të pakuptueshme për të.
“E kam thënë edhe në kuvend sepse kjo qeverisje karakterizon vetem skandalet dhe aferat korruptive dhe kriminalitetin, dita-ditës këto skandale po bëhen të zakonshme. Nuk e kam besuar asnjëherë se nga ky pushtet të gjitha shtetet që kanë njohur Kosovën tash t’ia kthejnë shpinën..nuk e kam kuptuar asnjëherë se si Kurti i thotë ‘naiv’ sekretarit të shtetit..nuk e kam kuptuar se si një pushtet nuk bën asgjë vetëm se si të ikin qytetarët nga ky vend, nuk e kuptoj se si i mbron të korruptuarit…”, ka deklaruar Krasniqi, gjersa ndër të përmendurat ka përfshirë edhe asamblistin e LVV-së, i arrestuar për trafikim droge në Shqipëri, të martën.
Krasniqi ka përmendur edhe mungesën e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, për të raportuar për marrëveshjen e Bratisllavës në Komisionin për Integrime Evropiane. Pas mungesës së tij herën e fundit, Krasniqi thotë se shpreson që Bislimi të raportojë në javën e dytë të shtatorit.
“Sa i përket sanksioneve të SHBA-së, kam ftuar zëvendëskryeminsitrin Bislimi të raportojë për marrëveshjen e Bratisllavës, por ai nuk ka marrë pjesë, ndonëse e caktoi datën dhe orën. E dimë se tashmë janë pezulluar marrëveshjet që kanë të bëjnë me IPA-n, takimet ndërkombëtare, mirëpo ne si komision kemi vepruar që të gjitha projektet që janë në mes IPA-së dhe Kosovës t’i kemi si komision, por ende nuk kemi marrë përgjigje”, ka deklaruar Krasniq, gjersa ka theksuar se “Po shpresoj që në javën e dytë të shtatorit, kur të nisë sesioni i ri, të vijë të raportojë”.
Lidhur me Kryeministrin Kurti, Krasniqi ka deklaruar se i njëjti do të duhej të dakordohej me BE-në dhe SHBA-në që Kosova të mos arrinte deri në fazën e deritanishme. Ajo deklaroi se Kurti ka shkelur të gjitha kauzat e tij gjatë kohës në pushtet.
Si jo rrallëherë, Krasniqi ka deklaruar se largimi i Qeverisë Kurti sa më herët, do të ishte më mirë për qytetarët. Jo më ndryshe mendon edhe për zgjedhjet.