Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, këtë të martë në selinë e kësaj partie ka pritur në takim drejtorët e Departamenteve të Arsimit nga radhët e PDK-së, nëpër komunat ku qeverisin.
“Bashkë diskutuam dhe ngritëm shqetësimin e thellë për skandalin e fundit të Qeverisë Kurti, në lidhje me mos-furnizimin e nxënësve me tekste shkollore”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së është shprehur se “shkeljet ligjore të kësaj Qeverie për të dytin vit me radhë në arsim”, dëmtojnë nxënësit dhe familjet.
“Paaftësia dhe shkeljet ligjore të kësaj Qeverie, për të dytin vit me radhë në arsim, vetëm dhjetë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, po dëmtojnë shumë nxënësit dhe familjet, duke u shkaktuar vështirësi të reja, por edhe shpenzime të mëdha për familjet kosovare”, ka shkruar ai.
Sipas tij, nga ky vendim do të ndikohen vetëm qytetarët.
“Barrën e paaftësisë qeverisëse, padrejtësisht dhe me fajin e pushtetarëve, do ta vuajnë vetëm qytetarët e vendit tonë!”, është shprehur kreu i PDK-së.