Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Ferdonije Qerkezin, gruan të cilës kriminelët serbë në luftën e fundit ia vranë katër djemtë dhe burrin e saj.
Fjalët janë të varfëra sipas Krasniqit për t’i përshkruar dhimbjet, sakrificën e kurajën nënës Ferdonie Qerkezi.
“Janë disa personalitete para të cilave mbetesh pa fjalë, jo sepse nuk ke, por të gjitha të duken të varfëra për të përshkruar dhembjen, sakrificën, qëndresën, kurajon dhe jetën e tyre. Një e tillë është zonja jonë e hekurt, nana Ferdonije Qerkezi, e cila ka humbur katër djemtë dhe burrin e saj në luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë ai.
Krasniqi, e takoi nënën Ferdonije në ekspozitën e Artan Korenicës, në të cilën u shfaq edhe një film i shkurtër për jetën e saj. “Mirë se vini në tavolinë”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë këtë ekspozitë në mënyrë që të solidarizohen me dhimbjet e Ferdonije Qerkezit.
“… është një ekspozitë e cila duhet të vizitohet nga të gjithë, që, të paktën për disa momente, secili të solidarizohet dhe të ndajë dhembjen me nanën Ferdonije dhe qindra familje të të pagjeturve të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi e quajti Korenicën një nga artistët më të mirë e më origjinal që ka Kosova.