Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se situata e krijuar në veri të Kosovës, nuk sjell asgjë të mirë për vendin.
Sipas tij, Kosova shfaqet për herë të parë si një vatër krize në të gjitha mediat.
Ai në një intervistë për Euronews Albania ka theksuar se kanë filluar të bëhen publike anulimet e para nga turistët që planifikonin ta vizitonin atë.
“Unë do dëshiroja të kishte diçka pozitive, por nuk mund të shikoj asgjë pozitive pasi për herë të parë pas shumë vitesh, e kemi Kosovën si vatër krize në të gjitha mediat ndërkombëtare”.
“Tashmë kanë filluar të bëhen publike anulimet e vizitave të turistëve nga shtetet evropiane gjithandej, duke u frikësuar mos vinë në një mini-Ukrainë. Kemi një rebelim të organizuar nga grupet kriminale nga këto komuna dhe kemi për herë të parë një nivel kaq të rëndë të denoncimit dhe dënimit ndaj Kosovës nga partnerët kryesor”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se patjetër që kryetarët e komunave duhet të qëndrojnë në objektet ku janë zgjedhur për të shërbyer, por duhen parë edhe kostot e kësaj.