Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka folur për vizitën e tij të fundit te ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, në Hagë.
Në emisionin “Politiko”, Krasniqi theksoi se vizitat e tij buruan nga miqësia dhe mungesa që ndien për ta.
“Unë ata i kam miq. Arsyeja se pse dëshiroj t’i takoj ata është se më merr malli për ta”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se mundësia për vizita ka qenë më e shpeshtë në të kaluarën, por tani janë kufizuar nga rregullat e Speciales.
“Fatkeqësisht ata kanë një restrikcion në këtë fiks një vit sa i përket vizitave dhe vizitat janë të limituara shumë, andaj edhe koha është zgjatur për të shkuar për t’i parë sepse në të kaluarën kam shkuar më shpesh. Ata janë jashtëzakonisht mirë, jo vetëm në kuptimin e shëndetit fizik, por janë shumë të mprehtë në një disponim të pabesueshëm përkundër faktit që janë prapa grilave”, ka thënë Krasniqi.
“Është e vështirë në një proces, i cili vërtetë e ka një padrejtësi në mesin e fakteve kryesore që ka buru prej akuzave të çmendura të Dick Martyt, të cilat tashmë nuk janë pjesë as e aktakuzave. Kishte akuza çmendurake në anën e raportit të tij”, ka shtuar ai.