Kremlini thotë se refuzon çdo armëpushim të përkohshëm me Ukrainën

Një ndihmës i lartë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka refuzuar çdo armëpushim të përkohshëm me Ukrainën, disa orë para se një delegacion amerikan pritet të shkojë në Rusi për bisedime me Moskën, ku ata do t’i bëjnë thirrje Kremlinit që të pajtohet me propozimin për një armëpushim 30-ditor ose në të kundërtën do të përballen me sanksione.

Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, në një intervistë për televizionin shtetëror rus tha më 13 mars se propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, që Kievi e ka pranuar, vetëm do t’i jepte kohë Ukrainës që të rimëkëmbet nga presioni që Rusia i ka bërë ndaj trupave të saj.

“E kam paraqitur qëndrimin tonë se kjo nuk është asgjë më shumë se sa një pushim për ushtrinë ukrainase, asgjë më shumë”, tha Ushakov, i cili për më shumë se gjysmëshekulli është i përfshirë në diplomaci dhe konsiderohet se është këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Kremlinit.

Ai shtoi se qëndrimin e Moskës ia ka paraqitur këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar një ditë më parë.

“Më duket se askush nuk ka nevojë për hapa që imitojnë veprime paqësore në këtë situatë”, tha ai, duke theksuar se Rusia dëshiron një zgjidhje afatgjatë që adreson interesat dhe e saj dhe merr parasysh shqetësimet e Moskës.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 12 mars me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, presidenti Trump shprehu bindjen lidhur me arritjen e një armëpushimi për Ukrainën dhe tha se negociatorët amerikanë “janë nisur drejt Rusisë”.

Ndërkaq, të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se një ekip amerikan, që raportohet se kryesohet nga i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, ishte nisur drejt Moskës.

“Në të vërtetë, negociatorët janë duke udhëtuar me avionë, është planifikuar që të ketë kontakte. Do t’iu tregojmë më vonë se çfarë do të ndodhë”, tha Peskov.

Paraprakisht, Trump u ka thënë gazetarëve se Rusia “nuk ka zgjidhje tjetër” përpos armëpushimit. Ai tha se nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së sanksioneve nëse Moska e refuzon armëpushimin, por shtoi se shpreson që të mos jetë e nevojshme.

Presidenti amerikan e ka bërë prioritet kryesor përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës që kur ka marrë mandatin e dytë presidencial më pak se dy muaj më parë, duke bërë përpjekje diplomatike me një rritëm të shpejtë.

Deklaratat e tij të fundit vijnë pasi Kievi u pajtua me planin amerikan për një armëpushim të përkohshëm, pas bisedimeve që zgjatën nëntë orë në Arabinë Saudite mes delegacionit ukrainas dhe atij amerikan.

Delegacionet ukrainase dhe amerikane po ashtu diskutuan për rëndësinë e përpjekjeve humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçmas gjatë armëpushimit, përfshirë këmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e civilëve të arrestuar dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë.

Më pas, Trump deklaroi se përfaqësuesit amerikanë dhe rusë do të takoheshin për të diskutuar për armëpushimin.

Pas negociatave, SHBA-ja nisi ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Laura Fazliu stoliset me medalje të bronztë në Linz Grand...

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix Upper, që po mbahet në Austri. Medalistja olimpike shënoi tri fitore në...

ShSKUK: Mbi 17 mijë lindje u kryen gjatë vitit 2024

Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë kryer 17 mijë e 495 lindje në...

Përurohet investimi i Dukagjinit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në...

Fëmijët e nivelit parashkollor në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, kishin festë vetëm një ditë para ditës së mësimdhënësve të tyre. Atyre, iu është...

Të fundit nga rubrika