Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në katërvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ka thënë se Ushtria e Kosovës, e cila ka përvetësuar standardet e NATO-s, si dhe zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale, tani është e gatshme për çdo mision ushtarak, duke e bërë krenar secilin prej nesh.
“Prej sot gatitu”, është fraza kumbuese që jehoi katër vjet më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të shënuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, si një nga proceset më të rëndësishme të determinimit të shtetësisë dhe sovranitetit të vendit tonë, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
“Krenar që më 14 dhjetor të vitit 2018, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuam masivisht tri ligjet përkatëse duke i dhënë FSK-së mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Ushtarëve posaçërisht, por të gjithë Kosovës në përgjithësi, urime Dita e themelimit të Ushtrisë”, shkroi ai.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar katërvjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës, në kohën kur ai kishte qenë kryeministër i vendit.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Haradinaj i ka uruar Ushtrisë 4-vjetorin e themelimit duke thënë se është ndjerë krenar që ka mundur të bëjë një gjë të tillë për Kosovën.
“Kosovë, urime katër vjetori i Ushtrisë! Krenar që pata mundësinë ta vendos një gur në themelin e Ushtrisë së Kosovës! Në katër vjetorin e themelimit të saj, po e rikthej në vëmendjen tuaj një fjalë timen, nga zemra”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Para 4 vjetësh, Kuvendi i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim kishte miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohej transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Ndonëse emri i FSK-së nuk pësoi ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohej se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa vitesh.
Bëhej fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Nga ky moment, zyrtarisht e kemi Ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës, të cilëve ua urojmë Ushtrinë e Kosovës”, kishte deklaruar në atë kohë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Pastaj, pas vendimit të Kuvendit, një ceremoni ku ishte prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës ishte mbajtur në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, ceremoni në të cilën kishin marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.